Trajneri i Kombëtares Shpresa të Shqipërisë, Alban Bushi doli sot në një konferencë për shtyp, ku foli për ecurinë e skuadrës dhe gjendjen e lojtarëve gjatë tre ndeshjeve miqësore të zhvilluara në periudhën Maj-Qershor.

“Grumbullimi thuajse dy javor na bëri shumë mirë, pasi ishte një periudhë relativisht e gjatë. Unë mendoj se nga ky grumbullim kemi fituar 5-6 lojtarë të ditëlindjes 98-99, të cilët mund t’i përdorim për edicionin tjetër dhe jam tërësisht i kënaqur. Selahi, Spahiu, Shefiti, Kolaj, Shabani, por edhe të tjerë që debutuan këtë herë, mund të them me bindje se e kaluan testin dhe do të jenë e ardhmja e Shpresave. Ata luajnë në klube të mira dhe kanë shumë minuta në këmbë, ndaj besoj se kjo është mjaft pozitive”, tha Bushi.

Ndeshjet me Spanjën në shtator? Të jem i sinqertë, nuk është se punova me mendjen te Spanja, por për të përmirësuar filozofinë tonë të lojës dhe për të përfshirë në ekip lojtarët e grumbulluar rishtazi. Me Spanjën do të tentojmë të bëjmë diçka ndryshe, pasi do të grumbullojmë lojtarët më ekspertë dhe do të luajmë të tërhequr, sepse e dimë se në të kundërt mund ta pësojmë keq.

Me sulmuesit kemi pasur probleme me thënë të drejtën, pasi nuk është se kanë shënuar gjatë kësaj periudhe. Mund të them se edhe ata kanë pasur probleme me dëmtimet, siç është rasti i Durmishajt, që ka luajtur vetëm dy ndeshje. Në ndeshjet e fundit morëm Manajn që shënoi, të cilin mund ta kishim marrë edhe më herët. Gjithsesi jam i lumtur që shënoi edhe portieri, por veçanërisht që morëm barazimin, që do t’i shërbejë moralit”, u shpreh trajneri i Shqipërisë U-21.

Kampionati shqiptar?  Është e rëndësishme që Superiorja të përmirësohet dhe të rritet gjithmonë e më shumë, për të qenë një furnizues jo vetëm i Shpresave, por edhe Kombëtares së madhe. Vetëm vitin e fundit kanë spikatur disa lojtarë të rinj në Superiore, siç është rasti i Gurit, Bregut, apo Abazajt, ndërsa edhe skuadrat po punojnë shumë më seriozisht, duke zhvilluar faza përgatitore jashtë vendit etj. Superiorja vijon të mbetet në fokusin tim dhe ka shumë talente, por më duhet të pranoj që ende lojtarët e këtij kampionati, kanë mangësi nga ana taktike”, tha Bushi.

Talantet për kombëtaren e madhe? Ka shumë lojtarë cilësorë që mund t’i bashkohen skuadrës së Panuccit, duke filluar që nga muaji Shtator, siç iu bashkuan disa të tillë tani. Mund të përmend Seferin, që luan me Young Boys dhe është shumë potent. Këtë lojtar e shoh gati për të luajtur me Kombëtaren e madhe, pasi ka entuziazmin, potencën dhe pjekurinë e duhur për ta bërë këtë”, u shpreh Bushi në daljen për mediat.

Flash Lajme