Ardian Ismajli ishte një nga dy risitë e trajnerit të kombëtares shqiptare Christian Panucci në listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjen ndaj Skocisë në Nations League dhe miqësoren ndaj Uellsit që do të zhvillohen këtë muaj.

Ish kapiteni i Kosovës U-21 i cili la dardanët për kuqezinjtë në një intervistë për mediat kroate ka shpejguar zgjedhjen e tij.

“Menjëherë pas telefonatës së Panuccit vendosa të luaj për Shqipërinë në të ardhmen, por nuk doja të lija shokët te Kosova U21 deri në përfundim të kualifikueseve. Isha kapiteni dhe lojtari më i mirë, ndaj nuk do të kishte qenë vendim i mirë t’i lija ata në baltë”.

Ismajli i cili ka luajtur pak me Hajdukun e Splitit gjatë kësaj periudhe e di që do ta ketë shumë të vështirë të fitojë një vend në formacion te Shqipëria megjiathë ai beson te aftësitë e tij dhe është i gatshëm për të luajtur që në sfidën e rradhës ndaj Skocisë.

“Ne jemi një komb, shpresoj që së shpejti të bashkohemi në një shtet, por kemi ekipe të ndryshme. Shqipëria është më e mirë dhe më ofron mua më shumë mundësi për t’u promovuar. Veç të tjerave, unë kam luajtur për Kosovën U21… Ky ishte motivi kryesor për vendimin e marrë, që kishte edhe mbështetjen e prindërve të mi. Disa gazetarë dhe tifozë më kritikojnë mua, duke pretenduar se nuk do të ketë vend për mua te kombëtarja shqiptare për shkak se nuk kam luajtur shumë te Hajduku. Por unë jam i bindur dhe i sigurt për vendimin që kam marrë. Unë jam gati që të luaj që kundër Skocisë në Nations League”.

Flash Lajme