Nënkryetari i PD-së Edmond Spaho, shprehet i shqetësuar në një prononcim për “Shekulli”-n në lidhje me fondin sekret që Ministria e jashtme Greke ka shpërndarë në mediat shqiptare, për të influencuar dhe për të mbajtur një linjë editoriale, e cila korrespondon me interesat greke.

Sipas Spahos, kjo është e turpshme nëse është e vërtetë, pasi nuk mund të konceptohet që gazetarë dhe njerëz të shoqërisë civile të “shesin” vlerat e kombit për interesa në një vendi tjetër. “Shpresoj të mos jetë e vërtetë. Në të kundërt, është e turpshme se si politikanë, gazetarë apo pjestëtarë të shoqërisë civile shesin lëkuren dhe vendin e tyre për interesa të një vendi tjetër. Prononcimi im nuk ka të bëjë me një listë që po qarkullon pasdite. Unë i referohem fenomenit dhe jo listës, pasi nuk di sa e vërtetë apo e manipuluar është kjo listë”, tha Spaho. Ndërsa eksperti ligjor pranë PD-së Gazmend Bardhi, tha se ky është një fenomen skandaloz. “Nuk kam shumë informacion për këtë çështje në fakt, por nëse do ishte e vërtetë do ishte një skandal”, tha Bardhi.

PD: Dhunë ndaj studentes, se prishi shfaqjen e Kryeministrit

Partia Demokratike ka reaguar ditën e djeshme, pas dhunës së ushtruar nga truprojat e kryeministrit Edi Rama, ndaj një studentje, në një takim të kreut të qeverisë me nxënësit e ekselencës. Përmes një deklarate për mediat PD thekson se dhuna ndaj vajzës u urdhërua nga Rama, pasi këtij të fundit iu prish shfaqja e radhës që ishte organizuar nga vetë ai. “Partia Demokratike dënon dhunën e ushtruar me urdhër të Kryeministrit Rama në takimin me nxënësit e ekselencës. Prishja e shfaqjes dhe skenarit të propagandës me regjizor Ramën e nervozoi atë duke urdhëruar dhunë ndaj vajzave studente. Urdhëri për përdorimin e dhunës ndaj studentëve protestues, arroganca, fyerja, poshtërimet e Kryeministrit ndaj studentëve dhe shqetesimeve të tyre janë të patolerushme dhe të dënueshme. Shprehim shqetësimin e madh për mënyrën, se si fryma e dhunës po bëhet modeli i promovuar nga Kryeministri në publik dhe në media. Keqardhje për sjelljen e nënshtruar të auditorit në sallë, dëshmi se më shumë se studentë ekselentë, mesa duket kishte fresh-istë të indoktrinuar. Indiferenca e drejtuesve të Universiteteve Publike dhe pedagogëve ndaj dhunimit të studentëve është një tregues i qartë se universitetet janë vasale të Qeverisë. Shprehim shqetesimin per censurimin e këtij incidenti nga shumica e mediave, sepse Kryeministri nuk do vononte t’u kujtonte burgun”.

Pjerin Ndreu: Arrestimet në Lezhë u kryen në mënyrë skandaloze

Në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, Pjerin Ndreu denoncoi dhunën e ushtruar nga policia me arrestimet në Lezhë. Deputeti socialist është shprehur se ka prova për mënyrën skandaloze të sjelljes së policisë gjatë arrestimeve. “Nuk marr përsipër të gjykoj provat. Kam rezerva për mënyrë skandaloze të veprimit, sjelljen skandaloze se si kanë vepruar me mënyrën e arrestimit. Dhe aplikimin e dy standardëve, një grup që quhet i parrezikshëm dhe merret prokuroria lokale dhe një grup tjetër që merret Prokuroria e Krimeve të Renda. Duhet të shihen me qetësi këto gjëra. Ne si forcë politike nuk mbështesim asnjë veprim të paligjshëm, por mënyra e të vepruarit e Porkurorisë dhe policisë në dy raste të ndryshme në Lezhë është e habitshme. Të presim verdiktin e drejtësisë e të flasim për të tjerat”- tha Ndreu.

Flash Lajme