Për herë të parë në fshatin Dhërmi janë lëshuar çertifikatat e pronësisë, për 815 prona që ka ky fshat, në një zonë shumë të lakmuar për vlerat turistike të tij.

Gjithçka është bërë e mundur pas përfundimit të regjistrimit fillestar të pronave nga ana e Zyrës vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë.
Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj e cila në një postim në faqen e saj zyrtare, e konsideron këtë një tjetër premtim të mbajtur.
“Janë dhënë çertifikatat e para të pronësisë për fshatin Dhermi. Rreth dy javë më parë, gjatë hapjes të zyrës së re të ZRPP në bashkinë Himarë, ju premtuam banorëve të fshatit Dhërmi, së bashku me kolegun Gjiknuri, se brenda muajit gusht procesi i regjistrimit fillestar i pronave të tyre do të kishte përfunduar si një premtim i bërë më herët”, shkruan ministrja Gjonaj.
Procesi i regjistrimit fillestar për fshatin Dhërmi ose ndryshe Zona Kadastrale 1481, e përbërë nga 815 pasuri me një sipërfaqe rreth 30,708 m2, ka filluar që në vitin 2015 por vetëm falë punës me intensitet të kryer muajt e fundit ky proces përfundoi duke përfshirë të gjitha fazat e projektit.
Sipas ministres së Drejtësisë procesi i dhënies së çertifikatave të pronësisë do të vijojë edhe me pjesën tjetër të banorëve, deri në çertifikimin e plotë të fshatit Dhërmi.
Të gjithë banorët e fshatit Dhërmi kanë tashmë mundësi të pajisen me çertifikatat e pronësisë. Ndërkohë që me hapjen dy javë më parë edhe të zyrës së re të ZRPP në Himarë banorët e kësaj zone nuk kanë më nevojë të marrin rrugën për në Vlorë për tu pajisur me çertifikatën e pronësisë.
Ministrja Gjonaj thotë në mesazhin e saj se objektivi kryesor është regjistrimi fillestar i të gjitha pasurive në vend, si një proces i rëndësishëm në reformën e pronës.

Flash Lajme