Nëse dëshironi të kuptoni situata të ndryshme të realitetit të sotëm, mjafton të lexoni La Fontenin (Frëngjisht: Jean de la Fontaine), që lindi më 8 korrik të vitit 1621, vdiq më 13 prill të vitit 1695.

Shumë shekuj më pas, do të thonit?

Oh, jo, La Fonteni mbetet gjithnjë aktual dhe mbi të gjitha, shumë i lehtë për t’ia kuptuar mesazhet që përcjell, përmes përrallave të thjeshta të tij.

Lexoni në vijim këto 2 fabula të jashtëzakonshme të La Fonten që supershendeti.com i ka përzgjedhur për ju, argëtohuni dhe… me siguri që edhe ju njihni njerëz të tillë, që ngjasojnë me personazhet (kafshët) e përrallave të La Fontenit.

1. Pula që bënte vezë të arta, një fabul e jashtëzakonshme nga La Fonten

Një fshatar gjeti një ditë në kotecin e pulave një vezë të artë. Mendoi se nuk e ka parë mirë dhe u afrua më shumë, e mori në dorë…

“Është vërtet e artë”, – tha në kulmin e gëzimit, “ar i vërtetë”.

Mori vezën e çmuar, me shumë kujdes, dhe e çoi në shtëpi.

Dhe gruaja mbeti tepër e çuditur, pastaj e lumtur i tha të shoqit:

“Jemi të pasur, kemi një pulë që na bën vezë të arta, nuk jemi më të detyruar të punojmë”.

“Të presim njëherë, të sigurohemi”, – tha i shoqi, – “mund të jetë vetëm një rast. Nuk e dimë akoma nëse kemi vërtet një pulë që na bën vezë të arta, apo kjo vezë na ra nga qielli”.

Ditën e nesërme plot ankth e i emocionuar fshatari hyri në kotec.

Veza e artë ishte atje, e burri mori frymë i lehtësuar.

“Është e vërtetë”, – i thirri burri gruas duke dalë me vrap nga koteci.

“Kemi një pulë që bën vezë të arta, duhet të zbulojmë cila nga pulat tona bën vezët e arta, kështu ta ndajmë nga të tjerat dhe ta ushqejmë më mirë”.

Ruajtën gjatë kotecin dhe zbuluan se cila ishte pula e çmuar, pastaj ndërtuan një kotec më të madh e më të bukur dhe e mbyllën aty vetëm që të bënte vezët e arta.

Nuk patën më nevojë të punojnë dhe u bënë të pasur.

Por, dora dorës që pasuroheshin dhe ferma e tyre zmadhohej, pa pasur nevojë që ata të punonin, të dy filluan të thonin:

“Përse duhet të presim vetëm një vezë në ditë.

Sigurisht një vezë në ditë nuk është dhe aq shumë!

Sikur të bënte të paktën dy!”

“Sipas meje”, – tha një ditë fshatari, “kjo pulë ka një grumbull të madh vezësh të arta në barkun e saj dhe ne presim këtu vetëm një vezë të vogël të artë në ditë, ndërkohë që mund të bëhemi shumë të pasur në një moment të vetëm”.

Me këtë mendim në kokë vrau pulën që bënte vezët e arta, por pa që brenda ishte njëlloj si gjithë pulat e tjera.

Kështu nga lakmia e pasurisë, humbi dhe mundësinë të merrte atë që kishte marrë deri në atë ditë”.

Fabula nr 2: Kafshët e Pyllit

Një e keqe e madhe që kudo përhapi tmerr, po bënte kërdinë midis kafshëve.

Nuk vdisnin të gjitha, por që të gjitha ishin goditur.

Dhe asnjë nuk po përpiqej t`i bënte derman jetës që po i shuhej.

Asnjë ushqim nuk nxiste më oreksin e tyre.

Tani as ujku, as dhelpra nuk gjurmonin gjahun e pafajshëm, të gjithë i shmangeshin njëri-tjetrit.

Nuk kish më dashuri, nuk kish më gëzim.

Luani i mblodhi të gjithë në këshillë dhe u tha:

– Miqtë e mi të dashur, unë besoj se këtë fatkeqësi na e solli qielli, për mëkatet që bëjmë.

Le të flijohet, pra, më fajtori nga ne ndaj goditjes së zemërimit hyjnor dhe, ndoshta, do të arrihet shpëtimi i përgjithshëm.

Historia na mëson që në rrethana si këto, bëhen flijime të tilla.

Të mos zhgënjehemi, pra, në këtë pikë. Le të shohim, pa u ndikuar nga ndjenjat gjendjen e ndërgjegjes tonë.

Sa më takon mua, për të kënaqur oreksin tim të pangopur kam gllabëruar shumë dele e desh.

C`më kishin bërë mua ata?

Asgjë të keqe.

Madje, më ka ndodhur që ndonjëherë të kem ngrënë edhe bariun.

Do të flijohem, pra, po qe nevoja, por unë mendoj që secili prej nesh të vetëakuzohet, ashtu siç bëra unë, pasi për të bërë drejtësi të plotë, koka i duhet prerë vetëm atij që është më fajtori.

– Madhëri, u përgjigj dhelpra, – ju jeni një mbret tepër i mirë.

Në ndërgjegjen tuaj ne vërejmë shumë ndershmëri.

Të hash desh e dele, këtë fare të përçmuar, të rëndomtë, mos, vallë, është ndonjë mëkat?

Jo, po! Ju u keni bërë atyre një nder tepër të madh, duke i kaluar dhëmbin tuaj, zotëri.

Për sa i takon bariut, duhet thënë se ai i meriton gjithë të këqijat.

Ai (dhe të tjerët) sillet ndaj kafshëve sikur të ishte perandori i tyre.

Këto tha dhelpra dhe lajkatarët duartrokitën.

Nuk u guxua më tej të bëheshin përcaktime të tepruara për tigrin, ariun e të tjerë të fuqishëm dhe rreth bëmave të tyre më të dënueshme.

Gjithë grabitqarët e tjerë, përfshirë këtu edhe qentë e thjeshtë rojtarë, dolën gjynahqarë.

I erdhi radha gomarit e ai foli:

– mua më kujtohet që kur po kaloja nëpër një livadh: uria, rasti i volitshëm, bari i njomë, besoj dhe ndonjë djall që më shtynte, bënë që të haja pak bar në atë livadh.

Dhe, meqënëse duhet folur hapur, them se nuk kisha asnjë të drejtë.

Menjëherë pas këtyre fjalëve, ndaj gomarit jehuan thirrjet: “të kryqëzohet!”.

Një ujk në rolin e akuzuesit, me fjalimin e tij provoi se kjo kafshë e mallkuar, ky rrjepacak, nga i cili u vinte më e keqja, duhej bërë kurban.

Mëkati i tij u gjykua i denjë për varje.

Të hash barin e të tjerëve!

C`krim i shëmtuar!

Asgjë përvec vdekjes nuk do të mund të shlyente krimin e tij.

Dhe ia treguan mirë vendin.

Sipas gjendjes, i fuqishëm apo i mjerë, vendimet e gjyqit do t`ju nxjerrin të bardhë apo të zi.

* Kjo më sipër është një nga fabulat alegorike të La Fonten, që shkruar vite më parë vë në lojë tiranët, lajkatarët, syleshët që gënjehen shpejt dhe viktimat.

Situatë e ngjashme me Shqipërinë, apo jo ?

Flash Lajme