Infeksionet mykotike të thonjve janë një patologji mjaft e shpeshtë, prej të cilave rrezikojmë të gjithë. Shqetësimet e shkaktuara nga kjo patologji nisin e bëhen edhe më të shpeshta me rritjen e moshës.

Në vijim të shkrimit, mjekja infeksioniste Ilda Xhelili tregon për “Dita” se cilët janë faktorët që ndikojnë në shfaqjen e këtyre infeksioneve, simptomat e dukshme dalluese, si dhe trajtimet që duhet të ndiqni për kujdesin në parandalimin e pasojave që mund të sjellin infeksionet e patrajtuara.

Mjekja Xhelili ndalet edhe në detajimin e këshillave praktike që mund të ndiqen në kushtet e shtëpisë për të luftuar këto infeksione. Sipas saj, duhet të tregoni kujdes me përdorimin e medikamenteve pasi në shumë raste bëhen shkak për efekte anësore, të cilat mund të jenë të rrezikshme për shëndetin.

Çfarë janë infeksionet mykotike të thonjve?

Shumë ndryshime që ndodhin tek thonjtë shpesh emërtohen gabimisht si infeksione mykotike të thonjve. Në fakt rreth 10 për qind e njerëzve të rritur në vendet perëndimore kanë infeksione mykotike të thonjve (që njihen ndryshe edhe si infeksione fungale).Kjo përqindje rritet në rreth 20 për qind për moshat mbi 60 vjeç, duke e bërë këtë kategori mjaft të rrezikuar.

Megjithatë, duhet të theksojmë se ka shumë arsye pse thonjtë mund të duken ndryshe dhe jo gjithmonë është infeksioni mykotik shkaktar i këtyre ndryshimeve. Ndër më të shpeshtat që mund të përmendim janë: thonjtë e gjelbër të shkaktuar nga bakteret “Pseudomonas”.

Ky infeksion mund të shkaktojë erë të keqe të thonjve. Më tej përmendim thonjtë e varur (zakonisht shoqëruar me sëmundjen Psoriasis). Thonjtë e prekur nga psoriasis mund të jenë gjithashtu edhe në ngjyrë të kuqërremtë. Faktorë tjetër janë edhe lëndimet traumatike të thonjve, linjat dhe kreshtat e thonjve që janë të zakonshme dhe mund të konsiderohen normale.

Ato mund të përkeqësohen gjatë shtatzanisë. Disa njerëz mund të zhvillojnë këto ndryshime gjatë shtatzanisë. Kemi edhe shtresëzimin e thonjve. Ndërsa plakemi, thonjtë bëhen më të brishtë dhe ndahen në shtresa, ose luspëzohen.

Për ta shmangur sa më shumë këtë fenomen duhet të kujdesemi për një higjienë të lartë të thonjve dhe sa më pak lagështi. Thonjtë e kuq, ose të zinj shkaktohen nga gjaku i mbledhur në thua si rezultat i ndonjë traume. Thonjtë e bardhë, ose të verdhë mundtë shkaktohen nga “onikoliza”. Kjo do të thotë ndarje (shkolitje) e thoit nga shtrati tij. Onikoliza e vazhdueshme mund t’i bëjë thonjtë mjaft të ndjeshëm ndaj infeksionit fungal.

Cilët janë faktorët e rrezikut që favorizojnë infeksionet fungale të thonjve?

Në njerëzit normal dhe të shëndetshëm, infeksionet mykotike (fungale) të thonjve, zakonisht shkaktohen nga mykrat (kërpudhat) që kapen në zonat me lagështi të vazhdueshme, si për shembull palestrat, pishinat, dushet që përbëjnë edhe burimet e zakonshme të tyre.

Është provuar se atletët janë më të ndjeshëm ndaj infeksioneve fungale dhe kjo supozohet të jetë për shkak të veshjes së këpucëve të shtrënguara dhe mungesës së ajrosjes për kohë të gjatë, por edhe për shkak të traumave të përsëritura të thonjve që ata pësojnë gjatë aktiviteteve sportive. Traumat e përsëritura i dobësojnë thonjtë duke i bërë ata më të ndjeshëm ndaj infeksioneve fungale.

Njerëzit e moshuar dhe ata me sëmundje të caktuara janë gjithashtu me rrezik të lartë. Çdo gjë që dëmton sistemin tone imunitar mund të na bëjë të prirur për t’u infektuar nga funget (kërpudhat). Kjo përfshin kushte të tilla, si SIDA, diabeti, kanceri, psoriasis ose marrja e ndonjë medikamenti imunosupresues, si kimioterapia apo edhe kortizonikët.

A janë ngjitëse infeksionet fungale të thonjve?

Edhe pse funget (kërpudhat, mykrat) duhet të merren nga diku, përsëri ato nuk mund të konsiderohen shumë ngjitëse. Kërpudhat janë aq të zakonshme saqë gjetja e tyre në më shumë se dy persona në familje, konsiderohet më tepër koincidencë. Ajo mund të transmetohet nga personi në person, por vetëm më një kontakt të vazhdueshëm intim.

Cilat janë shenjat klinike më të zakonshme?

Megjithëse shumica e infeksioneve fungale të thonjve janë zakonisht shqetësime kozmetike, disa pacientët përjetojnë dhimbje dhe siklet. Këto shqetësime mund të përkeqësohen nga këpucët dhe aktiviteti. Disa nga llojet e fungeve (mykrave) kanë tendencë të infektojnë edhe lëkurën (e njohur me emrin dermatophyte) duke u manifestuar në mënyra të veçanta.

Myku fillon zakonisht në cepat e thonjve (zakonisht gishti i madh i këmbës) duke i ngritur ato përpjetë si gozhdë dhe është lloji më i zakonshëm i infeksionit si për të rriturit, ashtu dhe për fëmijët.

Cilët janë faktorët e riskut që ndikojnë në shfaqjen e kësaj patologjie?

Faktorët e rrezikut përfshijnë moshën e vjetër, notin, këmbën e atletit, diabetin, anëtarët e familjes me infeksion, ose një sistem imunitar të dobësuar për arsye të ndryshme. Infeksioni vazhdon të përhapet nga cepat drejt qendrës së thoit dhe përfundimisht thonjtë e këmbës do të bëhen të trasha dhe si të pjekura. Infeksioni mund të përhapet gjithashtu midis gishtave duke i çarë ato, skuqur dhe shoqëruar me acarim dhe kruajtje (pruritus).

Si diagnostikohen infeksionet fungale të thonjve?

Siç e thamë, ka shumë kushte që mund t’i bëjnë thonjtë të duken të dëmtuar prandaj dhe nuk është aq e thjeshtë të bëhet diagnoza diferenciale. Në fakt, studimet kanë zbuluar se vetëm rreth 50 për qind e rasteve të paraqitjeve anormale të thonjve janë shkaktuar nga kërpudhat.

Prandaj, testimi laboratorik i thoit mbetet i rëndësishëm në vënien e diagnozës. Për ekzaminim nevojitet vetëm një pjesë e vogël nga thoi i dëmtuar, e cila përpunohet me metoda ngjyruese në laborator dhe ekzaminohen në radhë të parë direkt në mikroskop, por kryhen edhe teste për të përcaktuar materialin gjenetik të kërpudhave, gjë që ka kosto të lartë dhe nuk mund të kryhet rutinë.

E rëndësishme në ekzaminim është edhe përcaktimi i medikamentit që vepron më mirë ndaj çdo lloji të infeksioneve fungale. Në rastet kur gjykohet e nevojshme mund të kryhet edhe biopsia e thoit.

Si trajtohen mykozat e thonjve?

Shumica e medikamenteve që përdoren për të trajtuar funget kanë efekte të shprehura anësore, kështu që duhet të përdoren me shumë kujdes dhe sipas këshillave të mjekut specialist. Trajtimi mjekësor sugjerohet për pacientët që përjetojnë dhimbje dhe siklet për shkak të ndryshimeve të thonjve. Nga këto trajtime mund të përfitojnë pacientët më faktorë më të lartë rreziku për infeksione të tilla, si diabeti, celuliti (infeksioni i indeve të buta) prane thonjve të prekur.

Kremrat dhe medikamentet lokale janë tradicionalisht më pak efektive kundër kërpudhave sesa medikamentet që merren nga goja. Kjo për faktin se thonjtë janë shumë të vështirë për t’u depërtuar nga pomadat dhe solucionet. Po ashtu ndikon dhe koha e përdorimit. Shpesh, terapia lokale kërkon aplikime të përditshme për një periudhë kohore deri në një vit, gjë të cilës zor se i përmbahemi.

Por, medikamentet lokale kanë avantazhin e efekteve minimale anësore në krahasim me medikamentet e marra nga goja. Ilaçet nga goja janë mjaft efektive ndaj fungeve pasi shkojnë direkt tek thonjtë nëpërmjet qarkullimit të gjakut.

Edhe këto mjekime zgjasin të paktën 6 deri në 12 javë (por edhe më tepër) dhe duhen pasur parasysh efektet anësore, kryesisht për mëlçinë. Përpara fillimit të këtyre mjekimeve duhet kontrolluar patjetër funksionimi i mëlçisë. Duhet pasur kujdes nëse merren mjekime të tjera (për sëmundje të tjera) pasi ato mund të ndërveprojnë midis tyre.

Kur këshillohet aplikimi i ndërhyrjeve kirurgjikale?

Përveç terapisë medikamentoze mund të lindë nevoja edhe për ndërhyrje kirurgjikale (heqja komplet e thoit të dëmtuar). Por kjo zakonisht siguron lehtësimin e përkohshëm dhe përsëritja është e zakonshme nëse nuk përdoren njëkohësisht medikamente antifungale shtesë (qoftë lokale, qoftë nga goja).

Çfarë rekomandohet në kushtet e shtëpisë për lehtësimin e simptomave të infeksioneve fungale të thonjve?

Interneti është i mbushur në ditët e sotme plot me informata anektodike se si mund të shërohen këto infeksione në kushtet e shtëpisë, efektshmëria e të cilave është shumë e dyshimtë. Por ajo që mund të zbatohet në kushtet e shtëpisë, bazuar në studime mjekësore, është uthulla e zakonshme, e cila njihet që herët për veprimin e saj antimykotik.

Gjithashtu përdorimi i kremrave më përqindje të lartë të uresë (deri 30 për qind) lehtëson zbutjen e thonjve të ashpër. Këto kremra nuk kanë nevojë për recetë nga mjeku. Kujdes duhet të tregoni kur shkoni në palestra, pishinë apo dushe publike që njihen si zona të zakonshme të fungeve.

Mjaft kujdes duhet të tregoni edhe me përdorimin e këpucëve. Nuk rekomandohet veshja e këpucëve të të tjerëve. Larja e shpeshtë e këmbeve dhe tharja e mirë e tyre ndihmon në parandalimin e infeksioneve fungale të thonjve.

Cila është prognoza e këtyre infeksioneve?

Trajtimi i tyre është i vështirë dhe mund të zgjasë edhe 18 muaj (por edhe më tepër). Përsëritja e infeksionit është fenomen i zakonshëm. Përpjekja për të larguar,ose modifikuar faktorët e rrezikut është thelbësore në parandalimin e riinfektimit. Personat që vuajnë nga sëmundje kronike (diabeti,sëmundjet malinje) e kanë edhe më të vështirë për t’i zhdukur kërpudhat.

Thonjtë rekomandohen të priten shkurt, por jo deri në rrëzë. Kujdes duhet treguar për një higjienë të lartë të këmbëve. Vishni çorape të thata dhe jo këpucë të ngushta. Është e rëndësishme që një infeksion kur shfaqet të trajtohet në kohën e duhur.

Flash Lajme