Urrejtja e presidentit amerikan Donald Trump ndaj mediave dhe gazetarëve duket se nuk do të marrë fund kurrë. Trump pati dje një përplasje tjetër me korrespondentin e rrjetit CNN Jim Acosta, të cilin e quajti “njeri i vrazhdë”, kur gazetari u përpoq t’i bënte atij një pyetje.

Gjatë një konference shtypi në Shtëpinë e Bardhë mbi rezultatet e zgjedhjeve të 6 nëntorit, Jim Acosta e pyeti presidentin rreth karvanit të emigrantëve nga Amerika Qendrore që duan të kërkojnë azil në SHBA. Presidenti Trump e ndërpreu menjëherë gazetarin.

Kur presidenti u përpoq t’i jepte fjalën një gazetari tjetër, Acosta refuzoi të lëshonte mikrofonin dhe e pyeti Trump për ngritjen e mundshme të akuzave kundër Presidentit nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller. Presidenti i tha gazetarit të lëshonte mikrofonin, por korrespondenti i CNN-it refuzoi.

Më në fund gazetari hoqi dorë nga mikrofoni dhe u ul, por presidenti filloi ta qortonte atë nga podiumi. “CNN duhet të ketë turp për faktin që ju punoni për të. Jeni njeri i vrazhdë, i tmerrshëm. Ju nuk duhet të punoni për CNN”, deklaroi Trump.

Presidenti më pas i kërkoi një gazetari tjetër të bënte pyetje, korrespondentit të rrjetit NBC Neës, Peter Alexander, i cili i doli në mbrojtje Acostës.

“Ai është një gazetar i zellshëm që punon shumë si të gjithë ne”, tha Alexander. “Atëherë po ju them se nuk jam as tifoz i madh i juaji”, theksoi Trump.

Më pas, gazetari Acosta u ngrit dhe filloi t’i fliste presidentit pa mikrofon. Presidenti u përgjigj: “Kur ju raportoni lajme të rreme, gjë që CNN-i e bën shumë, ju jeni armiku i popullit”.

8 nëntor 2018 (gazeta–Shqip.com)

Flash Lajme