Jo vetëm te Spanja, situata është e rënduar edhe te Gjermania në prag të Kupës së Botës. Në qendër të kritikave ka përfunduar dyshja turko-gjermane, Mesut Ozil dhe Ilkay Gundogan, të cilët në muajin Maj u bënë protagonistë të një fotoje me presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.

Ish-kapiteni i Bayernit të Mynihut dhe një nga protagonistët e Gjermanisë së viteve 1990-2000, Stefan Effenberg ka qenë shumë i ashpër në qëndrimin e tij ndaj dyshes së mesfushorëve me origjinë turke.

“Nëse luan me disa vlera të caktuara, të cilat i predikon dhe mbron Federata e Futbollit, atëherë lojtarë si Ozil dh Gundogan duheshin përjashtuar. Ata mund të cilësohen me fat, pasi DFB ka reaguar në mënyrë jo konsekuente dhe jo të shpejtë”, deklaroi Effenberg, duke ju referuar një përjashtimi të tij në Botërorin e 1994 për shkak të disa sjelljeve të pahijshme.