Pas publikimit të tezës të letërsisë pak minuta para fillimit të testimit, deputeti demokrat Luçiano Boçi ka publikuar në rrjetin social “Facebook” edhe kopje të testit të matematikës së Maturës 2018.

Nisur nga këto publikime, ministria e Arsimit i kërkon Prokurorisë që të nisë hetimet, për të zbuluar se kush i nxorri testet, si dhe për të vendosur shkelësit përballë ligjit, kushdo qofshin ata.

Njoftimi për shtyp i Ministrisë së Arsimit

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë u informua nga rrjetet sociale dhe mediat online lidhur me publikimin e disa fotove nga Testi i Matematikës që u zhvillua në të gjithë vendin nga ora 10:00 -12:30. Konkretisht nga adresat në “Facebook” të një qytetari dhe të një deputeti janë postuar foto të testit të matematikës, ndërsa testimi po zhvillohej në të gjithë vendin.

MASR garanton publikun se ka marre çdo masë qe parashikon ligji për të garantuar fshehtësinë dhe integritetin e testeve të maturës në fazën e hartimit dhe shpërndarjes në 38 DAR dhe ZA, 206 mjediset ku zhvillohet provimi për 37 mijë maturantë të cilët mbikëqyren nga rreth 4300 administratorë dhe monitorues.

Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve e konsideron shkelje te rëndë të ligjit Nr.69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në RSH” dhe të akteve nënligjore, kopjimin e plotë apo të pjesshëm si dhe shpërndarjen dhe publikimin e testit.

Për këtë arsye i kërkojmë organit të prokurorisë të fillojë hetimin e menjëhershëm të dy rasteve të bëra publike online, duke mundësuar vënien përball ligjit të shkelësve, kushdo qofshin ata.

Na ndiqni në: